“Me dhëndër të mirë fiton dhe një djalë, me dhëndër të keq humb edhe …”/Urtësi e Kulluar Helene

Photo by Everton Vila on Unsplash

Duam apo s’duam fatet e vendeve janë të ndërlidhura me ato të fqinjëve të tyre, na pëlqen apo nuk na pëlqen, Shqipëria dhe Greqia do të jenë vende fqinje në shekuj të shekujve, por do të jenë brezat e ardhshëm ata që do të përcaktojnë nëse kjo fqinjësi do ta përsërisë historinë duke i kthyer trojet tona në vatrat ku u ngjiz kultura e botës, ku filloi qytetërimi, shkenca e deri tek hedhja në papirus e yjeve dhe lëvizjes së planeteve.

Përtej drejtpeshimit të kanarit të historisë, ne kemi mbledhur për kënaqësinë e lexuesve tanë, urtësitë e popullit helen të cilat për hir të së vërtetës ngjajnë shumë me ato të popullit shqiptar.

Bota është një teatër kur rolet më të mira i lozin më të këqinjtë dhe shumë rrallë anasjelltas.

Durimi zë edhe lepurin më të shpejtë.

Edhe kur thotë të vërtetën, fukarait nuk i besohet.

Edhe sikur 100 njëqind milje larg të jetë armiku, ti vepro sikur ta kishe pranë krevatit.

Fjala është argjend, heshtja është flori.

Forca e ndershmërisë është shumë e madhe, aq e madhe saqë e vlerësojnë edhe te armiku.(👏)

Fytyra ia jep bukurinë statujës, veprimi ia jep njeriut.

Gënjeshtari a mashtruesi mbas gjashtë muajsh duhet të ndërrojnë qytetin.

Gjeli që këndon gjatë lodh fytin.

Gjithçka që është e mirë për t’u ditur është e vështirë për t’u mësuar.(👏)

Historia është filozofia e mësuar nëpërmjet shembujve.

I mençuri është i lirë, budallai është skllav.

Koha është këshilltarja më e mirë.

Kur njeriu gabon, dallohet, kur gënjen, jo gjithnjë.

Ku të dëgjosh se ka shumë qershi, merr gjithmonë shportën me vete.

Kush përton t’i thyejë, s’do të hajë arra.

Me dhëndër të mirë fiton dhe një djalë, me dhëndër të keq humb dhe vajzën.(👈❤️)

Me masë gëzoju fatit, po ashtu, me masë mbaje dhimbjen.

Mëngjesin haje vete, drekën ndaje me mikun, kurse darkën falja armikut.

Çdo shtëpi ka budallain e vet.

Në gosti te ujku, merr qenin me vete.

Në pasqyrë shihet trupi në pije shpirti.

Nëse ke një mik kretas mbaj me vete dhe një shkop.

Nëse e sheh që lëvdatat nuk i meriton atëherë janë lajka.

Njeriu deri në 40 vjeç punon për të sëmurur veten, pastaj kujtohet për të ruajtur shëndetin.

Një bibliotekë është si një magazinë ilaçesh për shpirtin.(👌)

Një dimër në vendin tënd është më i ëmbël se njëqind pranvera në vend të huaj.

Pesë dhrahmi në dorë janë më mirë se dhjetë në letër.

Pëllumbi s’ka vend mes korbash.

Qeveritë: 1. Qeverisin njerëz, 2. Qeverisin ligje, 3. Janë të përkohshme

Regjimet varen nga virtyti i njerëzve dhe jo nga institucionet.

Rrushi jep tre fruta me radhë: kënaqësi, dehje dhe pendesë. (🍷)

Si të jenë mësuesit që frekuenton, do të jenë dhe shkronjat që mëson.

Shembulli i shembullit për atdheun, Sparta.

Shumë nga ata që bëjnë veprat më të pista, mbajnë fjalimet më të bukura.

Të dyja janë njëlloj rrezik: dhënia e budallait shpatë dhe të pandershmit pushtetin.

Vdekja është e pavdekshme, të gjitha të tjerat janë të vdekshme.

Dashuria kërkon trëndafilat, xhelozia kërkon gjembat.

Dituria është më e vlefshme se paraja, më e mprehtë se shpata, më e fuqishme se pushka.

Femra është si hija: nëse vrapon pas saj, – largohet, nëse vrapon para saj, vrapon pas teje.