“Mos lindni fëmijë nga nevoja, apo për të mbushur vetminë!”/ 15 mesazhe nga libri “Kur qau Niçja”

Irvin David Yalom (13 korrik, 1931) është një psikiatër ekzistencialist amerikan, i cili është profesor “emeritus” i psikiatrisë, në Universitetin “Stanford”.

Instituti i Psikoterapisë i cili bashkë-udhëhiqet nga Yalom dhe profesori Ruthellen Josselson, punon për ta avancuar qasjen e Yalomit në psikoterapi.

Kjo qasje paraqet një kombinim unik të integrimit të filozofisë në psikoterapi, e cila gjithashtu mund të quhet edhe PSIKOSOFI.

“Kur qau Niçja”, është një vepër e famshme e Irvin D Yalom, ndër më të komentuarat dhe shiturat në botë.

Në vepër paraqitet një dramë dashurie dhe vullneti e cila do të luhej në mendjen e bërthamës intelektuale, e cila përcaktoi epokën në Vjenën e shekullit të XIX.

Zhozef Brojeri, themelues i psikanalizës, është në kulmin e karrierës së tij ndërsa Fridrih Niçe, filozofi i madh gjerman, është në prag të vetëvrasjes nga dëshpërimi, i pazoti për të gjetur një kurë për dhimbjen e kokës dhe sëmundje të tjera që e mundojnë.

Ky është momenti kur Brojeri vendos të trajtojë Niçen me kurën eksperimentale të të folurit, duke mos treguar se edhe ai vetë gjente pjesë të pazbuluara të vetvetes në seancat e tyre.

Me anë të përzierjes së fakteve dhe trillimeve, autori arrin të ftojë lexuesin në një udhëtim nga ku i transmetohet një panoramë e qartë e nivelit intelektual dhe psikologjisë njerëzore, nëpërmjet paraqitjes së dy prej figurave më të mëdha të kësaj epoke.

Në vijim, do t’ju njohë me disa nga thëniet e shkëputura nga ky libër, si dhe disa fraza më të gjatë, përmes së cilave përcillen mesazhe unike…

1. “Ne biem më tepër në dashuri me dëshirën, se sa me të dëshiruarën”

2. “Mendimet janë hijet e ndjenjave tona”

3. “Një person është gati për të kaluar urën, domethënë t’i afrohet personit tjetër, kur personi tjetër e fton të bëjë pikërisht atë gjë, të cilën ai e kishte planifikuar.

Më pas, personi tjetër nuk mund ta marrë atë hap, sepse tani duket sikur është duke iu nënshtruar tjetrit; pushteti duket se ka hyrë në mes të afërsisë”

 

4. “Ndonëse asnjë gur nuk mund të dëgjojë, as të shikojë, secili rënkon butësisht, që dikush t’i kujtojë”

 

5. “Çdo person duhet të zgjedhë se sa nga e vërteta mund të durojë”.

 

6. “Dëshpërimi është çmimi që njeriu paguan për vetë-ndërgjegjësimin.

Shikoni thellë në jetë dhe gjithmonë do të gjeni dëshpërim”.

 

 

7. “Nëse ngjitemi mjaft lart, do të arrijmë një lartësi nga e cila tragjedia pushon të duket tragjike”.

 

8. “Jeta është një shkëndijë midis dy boshllëqeve identike, errësirës para lindjes dhe asaj pas vdekjes”.

 

9. “Unë ëndërroj për një dashuri, që është më shumë se dy njerëz që dëshirojnë të zotërojnë njëri-tjetrin”.

 

10. “Martesa dhe rrethinat e saj të posedimit dhe të xhelozisë e skllavërojnë shpirtin”.

 

11. “Për çdo grua të bukur në këtë botë ekziston një burrë i mjerë, që është i lodhur nga ajo”.

 

12. Ta sulmojmë direkt fiksimin tim!

Po më shkatërron.

Është duke konsumuar gjithë jetën time.

Unë nuk jam duke jetuar në të tashmen.

Unë jetoj në të shkuarën ose në një të ardhme, që nuk ka për të mbëritur kurrë.

 

13. Mos i lindni fëmijët deri sa të jeni të gatshëm të jeni krijues dhe të krijoni krijues.

Është e gabuar të lindësh fëmijët nga nevoja, të përdorësh fëmijën për të mbushur vetminë, për të prodhuar kopje të vetes, për të siguruar veten.

Është e gabuar të kërkosh pavdekësinë duke mbjellë farën tënde në të ardhmen, sikur ajo do të mbante vetëdijen tënde.

 

PASAZHE DHE MESAZHE NGA LIBRI “KUR QAU NIÇJA”

Është tetori i vitit 1882 dhe Zhozef Brojeri, psikiatri i famshëm dyzetëvjeçar, mjek personal në Vjenë i arstistëve dhe filozofëve si Brahms, Brucke dhe Brentano, ndodhet në Kafe Sorrento në shoqërinë e një gruaje të re që nuk e njeh, por që e thirri në kafenë veneciane për një “çështje urgjente” nga ku do të varet “fati i filozofisë gjermane”.

Quhet Lu Salome dhe ka një bukuri të pazakontë: ballë i plotë, mjekër e skalitur, sy blu të shndritshëm, buzë sensuale dhe flokë biondë në platin.

Megjithëse bënte ftohtë, hoqi peliçen dhe duke e parë drejt e në sy i thotë se trembet për jetën e mikut të saj: Fridrih Niçes, mendimtarit gjerman i cili sipas kompozitorit Vagner i kishte dhuruar botës një vepër të pashoq.

 

Shpirti i njeriut ndërtohet nëpërmjet zgjedhjeve të tij.

Niçja pranon të kurohet nga doktor Brojeri, por zgjedh një mënyrë krejt tjetër të trajtimit, ashtu si asnjë më parë.

Vuan nga një migrenë e fortë, por që e ka burimin te stresi kronik dhe hipervigjilenca, që ia trazojnë shpirtin, por i nxisin mendjen për të shkruar ato që do të ishin më pas kryeveprat e filozofisë botërore.

Niçja është i bindur se vepra e tij i përket një kohe tjetër, e në këtë mënyrë autori Irvin Yalom ka dhënë mesazhin se me të vërtetë vepra e Niçes ende nuk ka shteruar, pasi gjithmonë është temë debati në diskutimet mbi filozofinë.

 

Ç’është miqësia? Dy njerëz që bëhen bashkë, në kërkim të një të vërtete më të madhe

Dialogu imagjinar mes Zhozef Brojerit dhe Fridrih Niçes zhvillohet jo vetëm në zyrë, por edhe duke shëtitur apo duke pirë një kafe.

Ata përfundojnë të bëhen pacientë të njëri-tjetrit, pasi për pikëpyetjet që ngrinin Niçja ofronte aspektin filozofik ndërsa Brojeri atë psikanalitik.

Si do të ndryshonte psikanaliza nëse me të vërtetë Niçja do të pranonte të kurohej nga Brojeri dhe këta dy personalitete të viteve ‘800 do te takoheshin?

Askush nuk e di, mund të bëjmë vetëm hamendësime.

 

Jetoni kur ndiheni i gjallë. Vdekja e humbet tmerrin e saj kur njeriu vdes pasi e ka konsumuar jetën e tij. Vdis në kohën e duhur!

Njohës i mirë i filozofisë, autori i librit Yalom nëpërmjet dialogjeve imagjinare mes dy personave realë si Niçja dhe Brojeri ku herë pas herë përfshihet në bisedë edhe djaloshi i ri Zigmund Frojd, zbërthen në mënyrë të thjeshtë filozofinë e Niçes mbi të vërtetën, mbi marrëdhënien tonë me tjetrin, mbi mendimet dhe veprimet, mbi gratë, mbi mënyrën se si duhet ta konceptojmë jetën dhe format me anë të së cilave duhet të kuptojmë vetveten.

Janë pafund pyetje që ngrihen në bisedat mes tyre, të cilat marrin përgjigje respektive nga filozofia dhe psikanaliza, por gjithmonë lënë një shteg për interpretimin e vetë lexuesit.

Ajo që është e vërtetë, është se në fund të viteve ‘800 kur këto biseda imagjinare janë bërë, psikanaliza nuk kishte lindur ende.

Niçja nuk ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e saj, por puna dhe njohja nga afër me Brojerin do të nxisnin Zigmund Frojdin që të zhvillonte psikanalizën.

 

Është më e lehtë, shumë më e lehtë t’i bindesh dikujt tjetër se sa të komandosh veten

Në të vërtetë, Niçja për pjesën më të madhe të jetës vuajti nga një sëmundje e rëndë, ndërsa gjendja e tij u përkeqësua në vitin 1889 nga sifilizi për të ndërruar jetë në vitin 1900.

Mes miqve që takonte në Europë, me siguri dikush mund ta kishte bindur që të vizitohej te doktor Brojeri në Vjenë, por kurrë nuk ndodhi.

Libri është ndërtuar mes letrave autentike që Vagneri i drejton Niçes dhe marrëdhënies reale që ky i fundit ka pasur me Lu Salomenë, një dashuri të parealizuar kurrë.

Ashtu si edhe autori Irvin Yalom thotë në pasthënie, “Historia është trill që ka ndodhur.

Trilli është histori që mund të kishte ndodhur.”