Kur mendojmë rreth suksesit, na pëlqen ta shohim atë si recetë, kemi nevojë për motivim, pak vetëdisiplinë, të punojmë fort dhe më e rëndësishmja, kemi nevojë për shoqëri të mirë.
Imagjinoni të jetojmë në një botë ku na u dhanë një grup njerëzish që duhej të ishin miqtë tanë, të dashurit, familjarët dhe kolegët gjatë gjithë jetës – duke mos qenë kurrë në gjendje t’i ndryshojmë apo të takohemi me njerëz të rinj.
Imagjinoni që ne të detyrohemi t’i mbajmë ata njerëz rreth nesh derisa jeta jonë të përfundojë. Thjesht mendimi të tmerron!
Për fat të mirë në këtë jetë, na është dhënë një zgjedhje dhe jemi me fat që të zgjedhim njerëzit me të cilët duam të rrethohemi.
Pavarësisht nëse e dini apo jo, njerëzit që ju vendosni të keni përreth, kanë një efekt në mënyrën se si e kuptoni realitetin, kështu që të shmangurit e njerëzve negativë dhe të rrethuarit me njerëz pozitivë do t’ju ndihmojnë ta shihni botën në një mënyrë tjetër.
Ju duhet të rrethoheni me optimistët dhe gjahtarët e qëllimeve në jetë, me ata njerëz që duan t’i motivojnë njerëzit që kanë përreth tyre që të kenë sukses dhe duan të festojnë suksesin e miqve të tyre.
Ndonjëherë është e vështirë t’i dallosh njerëzit toksikë, pasi ata mund të duken si miqësorë dhe të mirë në fillim, dhe pa e kuptuar as ju vetë, keni ngecur në një marrëdhënie që nuk ju ndihmon të rriteni, ajo vetëm pengon procesin tuaj të rritjes.
Gjithmonë distancojeni veten nga këto 4 personalitete toksike:
1. Ankuesit
Këta njerëz janë më të këqijtë! Ata gjithmonë kanë diçka ose dikë për të cilën të ankohen. Ata gjithmonë vërejnë cenet dhe të metat në jetë dhe vështirë se kanë diçka pozitive për të thënë. Sistemi i tyre është i bazuar në pesimizëm.
Ata janë ankuesit në jetë, ata që ankohen pothuajse për çdo gjë dhe nuk bëjnë asgjë për ta përmirësuar. Ata vazhdimisht përcjellin vibrime negative dhe ato vibrime janë jashtëzakonisht ngjitëse.
Këto vibrime negative përfundojnë duke formuar perceptimet e personave rreth tyre dhe përfundimisht filloni ta shihni jetën ashtu siç bëjnë ata, në një mënyrë që “asgjë nuk është mjaftueshëm e mirë”.
2. Konformistët
Këta njerëz janë ata që janë të vetëkënaqur, ata që punojnë 45 orë në javë në një punë që nuk e pëlqejnë. Ata zgjohen, hanë mëngjes, shkojnë në punë, vijnë në shtëpi, hanë, flenë dhe përsërisin të njëjtat gjëra.
Ata jetojnë brenda kufijve që shoqëria ka përcaktuar për ta, duke mos vendosur kurrë ndonjë qëllim personal ose të përpiqen për t’i arritur ato. Ata janë plotësisht të kënaqur me stilin e jetesës punë, ushqim, gjumë.
3. Ata që kanë të drejtë për çdo gjë
Këta janë ata që besojnë se kanë të drejtën për çdo gjë që jeta ka për t’u ofruar. Ata kurrë nuk bëjnë një kilometër shtesë dhe kanë pritshmëri të mëdha. Kur njerëzit rreth tyre kanë sukses, ata bëhen ziliqarë që me kalimin e kohës përfundon në vetëshkatërrim.
Ata përfundojnë duke projektuar emocionet negative që kanë krijuar pasi nuk kanë patur sukses mbi ju. Këta janë llojet e njerëzve që vrasin çdo formë të motivimit, sepse ata nuk e kanë asnjë pjesë të tillë.
Të gjithën, sepse e kanë këtë ide të deformuar që bota i favorizon të gjithë, përveç atyre.
4. Dyshuesit
Dyshimi është një formë tjetër e pesimizmit, vetëm pak më delikate. Ata gjithmonë i kanë gati disa teori se pse diçka nuk do të funksionojë.
Ata janë të bindur se vetëm njerëz të jashtëzakonshëm mund të arrijnë gjëra të jashtëzakonshme – e vërteta është se çdokush mund të arrijë gjëra të jashtëzakonshme, vetëm se duhet të punojmë!
E vërteta është se ju nuk mund t’i shmangni këto lloje të personalitetit pasi bota është plot me ta, kjo është ajo që e bën aq të gjallë dhe me ngjyra jetën.
Megjithatë, ju mund të zgjidhni nëse doni t’i mbani ata në jetën tuaj. Ndonjëherë duhet të ndaleni, t’u hidhni një sy atyre që janë përreth jush dhe të vlerësoni ndikimin që kanë ata tek ju dhe jeta juaj.