“Mos qorto tallësin, se të urren! Qorto të urtin, se do të të…”/ Mençuri e Kulluar nga Solomoni

©wikimedia

Ka qenë një njeri në historinë e njerëzimit, emri i të cilit u bë sinonim i mençurisë.

Ai ishte një mbret, sundimtari legjendar Solomon, i cili e udhëhoqi me sukses kombin e tij drejt shkëlqimit, pasurisë dhe begatisë më të lartë.

Më poshtë kemi përgatitur një koleksion  urta të Solomonit për mësimin dhe diturinë…

Dëgjo, o biri im mësimet e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënes tënde, sepse janë një nur që zbukuron kokën tënde dhe një stoli në qafën tënde.

Mos qorto tallësin sepse ai do të të urrejë; qorto të urtin dhe ai do të të dojë.

I urti do të dëgjojë dhe do të rritë diturinë e tij; njeriu i zgjuar do të përfitojë këshilla të urta.

Njerëzit e pamend përçmojnë diturinë dhe arsimin.

Dituria bërtet nëpër rrugë, zëri i saj dëgjohet nëpër sheshe; ajo thërret në vendet ku ka turma dhe ligjëron në hyrje të portave të qytetit;

Kur dituria të të hyjë në zemër, edhe njohja do të jetë e këndshme për shpirtin tënd, të menduarit do të kujdeset për ty dhe gjykimi do të të mbrojë.

Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu, ki frikë nga Zoti dhe hiq dorë nga e keqja; kjo do të jetë shërim për nervat e tua dhe freskim për kockat e tua.

Sepse fitimi i diturisë është më i mirë se fitimi i argjendit dhe fryti i tij vlen më tepër se ari i kulluar.

Gjatësia e jetës është në të djathtë të saj, pasuria dhe lavdia në të majtë të saj.

Rrugët e diturisë janë rrugë të kënaqshme dhe në të tërë shtigjet e saj mbretëron paqja.

Dituria është një dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje.

Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh.

Njerëzit e urtë do të trashëgojnë lavdinë, por poshtërsia do të jetë trashëgimia e atyre që nuk kanë mend.

Fito dituri, fito gjykim; mos i harro fjalët e gojës sime dhe mos u largo prej tyre.

Dituria është gjëja më e rëndësishme; prandaj fito diturinë. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë.

Shko te milingona, o përtac, vër re zakonet e saj dhe bëhu i urtë.

Thuaji diturisë: “Ti je motra ime” dhe quaje “shok” gjykimin.

Tani, pra, më dëgjoni, o bij; lum ata që ndjekin rrugët e mia! Dëgjoni këto mësime, tregohuni të urtë dhe mos i hidhni poshtë!

Dituria ka ndërtuar shtëpinë e saj, ka gdhendur shtatë shtyllat e saj.

Mësoje të urtin dhe ai do të bëhet edhe më i urtë. Mësoje të drejtin dhe ai do të rritë diturinë e tij.

Dituria gjendet mbi buzët e atyre që kanë mendje, por shkopi është për kurrizin e atyre që nuk kanë mend.

Kush ruan mësimet është në rrugën e jetës; por kush nuk pranon kritikën humb.

Kush e do korrigjimin do diturinë, por ai që e urren kritikën është budalla.

Dituria e njeriut të matur qëndron në të dalluarit e rrugës së tij.

Fjalet e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat.

Flokët e bardha janë një kurorë lavdie; atë e gjejmë në rrugën e drejtësisë.

Një qortim depërton më thellë te njeriu me mend se sa njëqind goditje te budallai.