“Tre fazat e kapitalizmit: në të parën, biznesmeni bën tregti për të ndërtuar pallate për vete; në të dytën, për të…”/ Thëniet më të Bukura të Davilës

©Wikimedia Commons

Davilla nuk shkroi libra, ai botoi vetëm thënie. Kjo ishte mënyra gjeniale e tij për të përcjellë dijen.

Për kënaqësinë e lexuesve tanë ne kemi sjellë një koleksion me thëniet më të bukura të tij. E siç është traditë tashmë, në përfundim të leximit, mos harro të na thuash cilën prej tyre pëlqeve apo vlerësove më së shumti.

Tre fazat e kapitalizmit: në të parën, biznesmeni bën tregti për të ndërtuar pallate për vete; në të dytën, për të riinvestuar fitimet e tij; në të tretën, për të paguar taksat.

Budallenjtë nuk shqetësohen për asgjë përveç drejtshkrimit dhe harrojnë sintaksën.

Nuk ka asnjë mendim budallai që nuk ia vlen të dëgjohet, por edhe asnjë që ia vlen të nderohet.

Pa një armik në kufi, sundimtari harron të jetë i kujdesshëm.

Mërzia është antonimi i vetmisë.

Idetë e thjeshtuara në të cilat jobesimtari përfundon duke besuar janë ndëshkimi i tij.

Ajo që quhet mentaliteti modern është procesi i shfajësimit të mëkateve vdekjeprurëse.

Asnjë parajsë nuk do të lindë brenda kufijve të kohës. Sepse e mira dhe e keqja nuk janë fije të gërshetuara nga historia, por fije të fillit të vetëm që mëkati tjerrë për ne.

Ose mësojmë nga tragjedia greke si të lexojmë historinë njerëzore, ose nuk mësojmë kurrë si ta lexojmë atë.

Indet e shoqërisë bëhen kanceroze kur detyrat e disave shndërrohen në të drejta të të tjerëve.

Juristi, në demokraci, nuk është ekspert i ligjeve, por i funksionarëve të qeverisë.

Nëse besojmë te Zoti, as vetë triumfi ynë nuk duhet të na tronditë.

Të jesh modern nuk do të thotë të kesh tejkaluar problemet e së djeshmes; është të besosh se i ke kapërcyer ato.

Opinionet, zakonet, institucionet, qytetet – gjithçka është bërë vulgare, që kur hoqëm dorë nga riparimi i të vjetrës për të blerë çdo ditë ndonjë risi të çuditshme.

Historiani ka tre tema: individualitetin e personave, individualitetin e totaliteteve konkrete, individualitetin e çastit.

Aty ku dikush e ka të mundur të thotë çfarë të dojë, askush nuk lodhet të thotë atë që ka rëndësi.

“Qytetërimet janë të vdekshme” është ngushëllimi më i madh për dikë që jeton sot.

Mjaftojnë përmbysjet e shkurtra për të shembur ndërtesat e shpirtit, ndërsa korrupsioni ynë natyror mbron sukseset teknologjike.

Besnikëria është muzika më fisnike në tokë.

Ai që na tradhton nuk na fal kurrë për tradhtinë e tij.

Kombet kanë dy mënyra fisnike të ekzistencës – ngjitja ose dekadenca – dhe një mënyrë vulgare – prosperiteti.

Është i tillë kompleksiteti i ngjarjeve historike saqë çdo teori gjen raste në të cilat mund të zbatohet.

Një shpirt kulturohet nëse në të zhurma e të gjallëve nuk e mbyt muzikën e të vdekurve.

Ndikimi që bën një tekst është në proporcion me dinakërinë e insinuatave të tij.

Mosrespektimi i ndërsjellë e kthen shpejt miqësinë ose dashurinë midis shpirtrave plebejanë në një kontratë të thjeshtë dypalëshe për vrazhdësi.

Sinqeriteti i dikujt që nuk e respekton veten kthehet në paturpësi të thjeshtë.

Egoizmi i budallait është mbrojtja e fqinjëve të tij.

Dënimet e dhëna në Ditën e Gjykimit do të jenë më pak kategorike dhe më të theksuara se ato të dhëna nga çdo gazetar për çfarëdo teme.

Një partizan i barazisë që nuk është ziliqar mund të jetë i tillë vetëm sepse është budalla.

Njeriu nuk është i burgosur; ai vetë burgoset.

Ngjarja kryesore e këtij shekulli është shpërthimi demografik i ideve idiote.

Budallenjtë besojnë se njerëzimi vetëm tani di disa gjëra të rëndësishme, kur nuk ka asgjë të rëndësishme që njerëzimi nuk e ka njohur që nga fillimi.

Publikimi i pakufizuar i lajmeve, i kërkuar nga masmedia, ka detyruar gënjeshtrën publike të marrë në shtet funksionin tradicional të sekretit.

Frustrimi është karakteristikë dalluese psikologjike e shoqërisë demokratike. Aty ku të gjithë mund të aspirojnë në mënyrë legjitime për majën, e gjithë piramida është një grumbullim individësh të frustruar.

Nuk mjafton të imagjinojmë diçka që ajo të ekzistojë, por ekziston vetëm ajo që ne imagjinojmë.

Fotografia vrau imagjinatën.

Reformatorët borgjezë përgatisin precedentë ligjorë për grabitjet e tyre të ardhshëm.

Një tipar tipik nuk është një tipar që përsëritet një numër të caktuar herësh, por ai që ka një rëndësi të veçantë. Statistikat nuk e zëvendësojnë intuitën.

Të jesh reaksionar nuk do të thotë të besosh në zgjidhje të caktuara, por të kesh një ndjenjë të mprehtë të kompleksitetit të problemeve.

Kur lundrojmë në oqeanet e marrëzisë, inteligjenca kërkon ndihmën e shijes së mirë.

Ai çlirim i njerëzimit, lavdërimet e të cilit i këndoi shekulli i 19-të, përfundoi të ishte asgjë më shumë se turizëm ndërkombëtar.

Burokracia është një nga mjetet e demokracisë që kthehet në një nga qëllimet e saj.

Përhapja e kulturës ka pasur efektin që i jep mundësi budallait të flasë për atë që nuk di.

Angazhimi në dialog me ata që nuk bashkndajnë idetë tona nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë budallaqe për të vrarë kohën.

Për fat të mirë, bota nuk mund të shpjegohet. (Çfarë lloj bote do të ishte nëse do të mund të shpjegohej nga njeriu?)

Çdo vepër arti na flet për Zotin. Pavarësisht se çfarë thotë.

Demokracia është regjimi politik në të cilin qytetari ua beson interesat publike atyre njerëzve të cilëve nuk do t’ua besonte kurrë interesat e tij private.

Fatkeqësia e njeriut modern nuk qëndron në detyrimin për të jetuar një jetë mediokre, por në besimin se ai mund të jetojë një jetë jo mediokre.

Mësimet e vetme të rëndësishme janë ato që nuk mund të jepen përveçse nga toni i zërit të dikujt.

Qytetërimi konsiston gjithmonë në veshjen e vetvetes, jo zhveshjen.

Vetëm shpirti i ankoruar në të kaluarën nuk është mbytur në stuhitë e natës.