“Më thoni shpejt, ku i keni paratë, ndryshe ju…”, i tha hajduti… Përgjigjen e gruas s’e pret askush!

Java u mbyll dhe nesër çelet një e re, por nuk do t’ju lejojmë ta filloni javën pa disa të qeshura të forta. U bë tradita e çdo fundjave tashmë!

Hajduti në shtëpi…

Në shtëpia ia behu hajduti. Ai i vuri thikën në grykë të zonjës së shtëpisë dhe ulëriu:

– Më thoni shpejt, ku i keni paratë, ndryshe ju vrava!

– Po t’ju tregoj, do më lini të lirë? – e pyeti gruaja, duke u dridhur nga frika.

– Po!

– Betohuni!

– Betohem!

– Paratë i kam në bankë…

Biondja te Llotaria

Një bionde simpatike shet bileta të llotarisë kombëtare. Papritur i vjen një mesoburrë dhe i kërkon një biletë, që të mbarojë me shifrën 58.

Shitësja rrëmoi në blloqet e biletave dhe e gjeti një të tillë. Dy ditë më vonë mesoburri vjen sërish dhe i thotë biondes, që fitoi një shumë të mirë.

– Si i ratë në të dhe morët biletë me 58 në fund?

– Më doli vetiu, – u përgjigj tjetri. Gjatë gjithë natës nuk mu shqit në ëndërr shifra 8. Ajo m’u fanit plot 8 herë. I shumëzova dhe më doli ajo, që kërkova.

– Pse, tetë herë tetë 58 bëjnë? – e pyeti vajza.

– Pa shiko!! – mbeti pagojë fatlumi.

Virxhinia

Virxhinia e gjeti shoqen e saj, grua piloti, me sy të përlotur. 

– Ç’ka ndodhur, e dashur? – e pyeti e shqetësuar.

– Jam bërë merak për burrin, – u përgjigj shoqja. – Ka dy javë, që mundohet ta heqë qafe macen tonë, por më kot. Më në fund sot vendosi ta marrë me vete në avion dhe ta hedhë që andej në lartësinë 2000 metra.

– Ty çfarë të shqetëson?

– Si, çfarë? – briti tjetra e nervozuar. – Macja është kthyer në shtëpi, kurse burri nuk duket gjëkundi…

Gruaja ime ka frikë…

– Gruaja ime ka shumë frikë nga hajdutët, – i tregon Aleksi kolegëve të tij.

– Prandaj më parë më zgjonte shpesh netëve, sa herë dëgjonte zhurmën më të vogël. Kjo punë vazhdoi derisa ja mbusha mendjen, që hajdutët e sprovuar veprojnë me kujdes dhe pa zhurmë.

– Demek, tani fle e qetë, ë?

– Posi, posi!Ajo ka nisur të zgjojë sapo në shtëpi bëhet heshtje e plotë…

Dadoja

E zonja e shtëpisë pyet vajzën, që ka ardhur të kërkojë punë si dado:

– Përse ikët nga vendi i mëparshëm?

– Sepse atje kërkonin, që unë të laja fëmijët, çka unë e urrej…

Në çast u dëgjuan britmat e fëmijëve të shtëpisë:

– Merre, mami, merre!

Sharlota

Sharlota kërkon një kujdestar.

– Keni ndonjë rekomandim? – e pyet kandidatin e radhës.

– Kam shërbyer pesë vjet te një markez…

– E përse u larguat që andej?

– Nga mendjelehtësia. Zonja e markezit dhe unë harruam, që mësje markezi ndërroi mendje dhe nuk vajti për gjah të dielën e kaluar…

Fallxhorja

Fallxhorja, klientes:

– O zot! Zonjë, kjo është e tmerrshme! Burrit tuaj i kanoset një rrezik i tmerrshëm! Së shpejti ju do të mbeteni vejushë.

– E di, e di! – pranon zonja. – Vetëm më thoni… do më nxjerrin të pafajshme?

Gruaja e Borisit

Gruaja: – Oh, Boris, ktheje makinën, kam harruar rubinetin e gazit hapur. Mos na digjet shtëpia…

Burri: – Mos u tremb… Kam harruar dushin hapur…

Zhorzh, Zhorzh, Zhorzh…

Në byronë e ndihmës ekonomike për nënat me shumë fëmijë, sekretari po plotëson anketën e një gruaje:

– Sa fëmijë keni?

– Dymbëdhjetë.

– Më thoni emrat e tyre.

– Zhorzhë

– Si??

– Zhorzhë. Të gjithë kanë të njëjtin emër, Zhorzh…

– Po si ia bëni, kur ju duhet një Zhorzh i caktuar?! – habitet sekretari.

– Shumë thjeshtë, – ja pret nëna. – Përdor mbiemrat e baballarëve. Të dymbëdhjetë kanë baballarë të ndryshëm!…

Në farmaci

Në farmaci hyn me vrap një grua, duke ulëritur:

– Ç’qe ajo pastë dhëmbësh, që më dhatë dje?! Ajo nuk ishte pastë, por një helm i vërtetë!

– E ç’rëndësi ka, zonjë? Ju për ta pështyrë keni…

Pas 5 vitesh te fallxhorja…

Një grua e re vjen te fallxorja.

– Para pesë vitesh kam qenë këtu dhe më keni thënë, se do të kem burrë dhe pesë fëmijë.

– E pastaj?

– Ashtu është. Kam pesë fëmijë. Tani erdha të mësoj, kur do të bëhem me fëmijë…

E pastaj?!

Tek plotësonte anketën e rregjistrimit të popullsisë, djaloshi pyet vejushën, kur i ka vdekur burri.

– Para tetë viteve, – përgjigjet tjetra e trishtuar.

– Po fëmijë keni?

– Po, tre: Aleksandri njëmbëdhjetë vjeç, Masha shtatë dhe Vladi tre…

– M’u dëgjua, se më thatë, që burri ka vdekur tetë vite të shkuara…

– E pastaj? Ka vdekur burri, jo unë…

Redaktori dhe veza

Një grua e re i shkroi redaktorit këtë letër:

“I nderuar redaktor! Javën e kaluar më kthyet dorëshkrimin e tregimit tim. E di, as që e keni lexuar, sepse i ngjita pak faqet 18, 19 dhe 20 dhe dorëshkrimi m’u kthye po me fletë të ngjitura. Kjo do të thotë, që ju jeni një mashtrues dhe i ktheni dorëshkrimet pa u njohur me to”.

Redaktori u përgjigj:

“Zonjë, në mëngjes, kur thyej vezën e zier, s’kam nevojë ta ha deri në fund, për t’u siguruar, në është e prishur, apo jo”.

Po babai, ku?

Në një zonë me popullsi të dendur të Parisit, punonjësja e Seksionit të Ndihmës Sociale shkon të shohë, si jeton familja e punëtorit, i cili e kish braktisur atë pesë vite të shkuara.

Për habinë e saj, në cep të banesës tejet modeste, ajo pa gjashtë fëmijë, njëri më i vogël se tjetri.

– Kush është babai i këtyre fëmijëve? – pyet të zonjën e shtëpisë.

– Si kush?! Burri im, natyrisht! – përgjigjet gruaja.

– Më falni, por a nuk ju ka braktisur ai, siç thoni ju, pesë vite më parë? Kurse më i vogli juaj, me sa shoh, është motak…

– Sigurisht, na ka braktisur. – Por herë pas here vjen, për të lypur ndjesë…